MPJ-ja mashtroi shtetin gjerman me tri BMW-të e shtrenjta (Foto)

Me tri vetura të shtrenjta të markës BMW është bërë Ministria e Punëve të Jashtme, që prej fundvitit të shkuar. Blerja nëpërmjet një mashtrimi bërë gjigantit gjerman të veturave dhe vetë shtetit gjerman, është bërë pa përfillur procedurat e prokurimit.

Veturat janë të tipit BMW 730 D Limousine. Janë blerë nga Ambasada e Kosovës në Berlin për rreth 50 mijë euro secila, çmim gati përgjysmë më i lirë, sesa ishte çmimi i tregut. Kjo për shkak që, përpos që është siguruar lirimi nga taksat meqë ishte deklaruar se po merreshin për nevojat e misioneve diplomatike të Kosovës në Gjermani, po kështu ishte ofruar edhe një zbritje nga kompania, shkruan KOHA.

Por, menjëherë janë dërguar në Kosovë. Ministria i kishte marrë për qëllim të Protokollit të Shtetit. Meqë obligimet që lidhen me kushtet e blerjes nuk mundësojnë regjistrimin e këtyre veturave në Kosovë, ato ende mbajnë targat e Gjermanisë.

Të dhënat janë siguruar nga një burim i gazetës në këtë ministri, institucion ky që prej më shumë se një muaji nuk i ka krijuar qasje gazetës në procedurat e prokurimit të zhvilluara për këtë rast, dhe as nuk ka ofruar informacione në lidhje me arsyen pse veturat mbajnë targa të Gjermanisë dhe jo të Kosovës.