MPJ largon nga puna 11 anëtarë të shërbimit të jashtëm, thotë se u punësuan përmes vendimeve arbitrare

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se ua ka ndërprerë marrëdhënien e punës 11 punonjësve të kësaj ministrie, të cilit ishin anëtarë të shërbimit të jashtëm.

Në njoftimin e MPJD thuhet se 11 punonjësve u është ndërprerë marrëdhënia e punës pas një analize të detajuar ligjore.

“Vendimi është marrë në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Sipas kësaj ministrie, personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm.

“Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare”.

Në njoftim gjithashtu thuhet se “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të mësipërm”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur në zotimin e saj për vendosjen e ligjshmërisë në vend. Keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen dhe luftohen me vendosmëri”, njofton MPJD.