Murati për ndarjet buxhetore për komunat: Është dezinformatë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se debati i fundit për ndarjet buxhetore për komunat, ku pushteti fajësohet se ka favorizuar komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, është dezinformatë.

Në një analizë për ndarjen buxhetore, Instituti GAP ka konsideruar se Qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat në të cilat udhëheq për vitin 2024.. Nga 21.8 milionë euro për investimet kapitale të reja, mbi 13 milionë janë bërë për katër komunat që i udhëheq VV-ja.

Por Murati në konferencë për shtyp të mërkurën ka thënë se në raport bëhet fjalë vetëm për 13 milionë nga 860 milionë euro investime kapitale.

“Kjo është e pavërtetë. Nëse qëllimi i atij raporti ka qenë dezinformimi i qytetarëve mund të them se ia kanë arritur. Është e pavërtetë që ka dallim apo favorizim të komunave. Atë që është prezantuar në atë rapor,t bëhet fjalë për 13 milionë euro nga 860 milionë euro investime kapitale. Çka nuk trajton ajo analizë është edhe fakti që edhe projektet e reja i merr vetëm sipas kodit”, ka thënë Murati.

Ministri i Financave ka këmbëngulur se komunat asnjëherë s’kanë pasur më shumë buxhet.

“Ton kjo zhurmë po bëhet për 13 milionë euro. Na pardje i nënshkruam 80 milionë euro për komunën e Prishtinës. Komunat kurrë më shumë buxhet nuk kanë pas. Është shtu për 200 milionë euro buxheti për komunat”, ka thënë Murati.