Ndryshimet në Qeverinë e Shqipërisë, betohen në Presidencë ministrat e rinj

Ministrat e rinj të Qeverisë së Shqipërisë, Arbjan Mazniku, Albana Koçiu, Igli Hasani, Ogerta Manastirliu dhe Anila Denaj po betohen sot në Presidencë para kreut të shtetit, Bajram Begaj.

Një ditë më parë, dekretet e ministrave të ri rinj u miratuan në Kuvend gjatë një seance të posaçme plenare.

Arbjan Mazniku i propozuar si Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor mori 73 vota pro, 35 kundër dhe asnjë abstenim.

Albana Koçiu, e propozuar në pozicionin e Ministres së Shëndetit dhe Mbrojtjes Sociale mori 73 vota pro, 1 abstenim dhe 32 kundër.

Igli Hasani, i propozuar nga Rama për pozicionin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme siguroi në Kuvend 74 vota pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim.

Ogerta Manastirliu, e propozuar në pozicionin e Ministres së Arsimit dhe Sportit mori 72 vota pro, 35 kundër dhe një abstenim.

Nga ana tjetër, Anila Denaj, e propozuar në pozicionin e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit siguroi 73 vota pro, 27 kundër dhe asnjë abstenim.

Kujtojmë se propozimi i ministrave të rinj është bërë disa ditë më parë nga kryeministri Edi Rama.

Përpara Presidentit të Republikës Bajram Begaj, u betuan pas leximit të formulës së betimit:

Zoti Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;

Zonja Albana Koçiu, Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;

Zonja Ogerta Manastirliu, Ministër i Arsimit dhe Sportit;

Zonja Anila Denaj, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;

Zoti Arbjan Mazniku, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.