Në Serbi insistojnë që rregullorja e BQK-së të diskutohet në dialogun politik

Banka Popullore e Serbisë (NBS) kërkoi shfuqizimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – e cila e përcakton euron si valutë të vetme për pagesat në Kosovë – dhe kërkoi që çështja të zgjidhet me dialog politik.

Me rregulloren e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, iu dha fund përdorimit të dinarit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Banka Popullore e Serbisë tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk mund të bëhet fjalë” për një marrëveshje mes saj dhe Bankës Qendrore të Kosovës, siç sugjeroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Kjo çështje duhet të zgjidhet ekskluzivisht në kuadër të dialogut në nivelin ekzistues”, tha NBS-ja, duke iu referuar bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Bislimi tha të mërkurën se do të sigurohet një periudhë tranzicioni nga dinari në euro dhe se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton ndalim të transferimit të parave nga Serbia në Kosovë.

Ai, po ashtu, tha se shpreson që bankat qendrore të të dyja vendeve të zhvillojnë bisedime, në mënyrë që të gjendet një mekanizëm për një transferim transparent të mjeteve.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Banka Qendrore e Kosovës tha se është e gatshme që të angazhohet në bisedime me institucionin homolog në Serbi.

Pa ofruar shumë detaje, BQK-ja tha se “ekzistojnë mënyra dhe shembuj” se si mund të realizohet “transferimi i mjeteve në llogaritë bankare të përfituesve në valutën euro”.

Por, Banka Popullore e Serbisë këmbënguli se rregullorja e BQK-së “nënkupton pamundësinë e pagesës së rrogave, pensioneve, përfitimeve sociale dhe të ardhurave të tjera për popullatën serbe në dinarë”.

Ky institucion tha se, në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore të Serbisë, “do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, duke i pasur parasysh interesat e qytetarëve të Serbisë” në Kosovë.

Dinari në Kosovë

Që nga paslufta më 1999, Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka përdorur dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë, përfshirë këtu edhe spitalet dhe shkollat.

Banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë e kanë shfrytëzuar dinarin edhe për pagesat në dyqane dhe restorante.

Ata, po ashtu, kanë mundur të tërheqin dinarë nga bankomatet e bankave me bazë në Serbi.

Dinarët kanë hyrë në Kosovë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës.

Ato para, pastaj, i ka transportuar kompania për transport të parave “Henderson”.

Kjo situatë është zhvilluar kështu pavarësisht faktit se Neni 11 i Kushtetutës së Kosovës përcakton “një monedhë të vetme” si mjet të vlefshëm pagese në Kosovë.

Banka Qendrore e Kosovës e ka justifikuar rregulloren e saj duke thënë se ka “obligim ligjor” për ta rregulluar sistemin financiar, veçanërisht një çështje si monedha, e cila “ka mbetur e parregulluar për një kohë shumë të gjatë”. /Rel/