Sveçla e Krasniqi në Mitrovicë të Veriut: Kërcënimet e Serbisë nuk na trembin

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të enjten nga Mitrovica e Veriut kanë thënë se kërcënimet e Serbisë nuk i trembin dhe do të vazhdojnë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në katër komunat veriore.

Sveçla e Krasniqi vizituan shtëpinë në ndërtim e sipër të një shqiptari në Mitrovicë të Veriut, që u ngjyros me “parulla ekstremiste”.

Ministri i Brendshëm është zotuar se akterët e këtij akti do të vihen para drejtësisë.

“Shtëpitë që po rindërtohen me pronarë shqiptarë janë mbuluar me parulla ekstremiste që nuk kanë vend në Kosovë. Çfarëdo gjuhe e urrejtës ndëretnike, çfarëdo gjuhë që nxit dhunë është e dënueshme. Akterët do të zbulohen dhe të vihen para drejtësisë. Siç e kemi thënë më herët, për Serbinë e Rusinë s’ka vend në Kosovë”, ka thënë Sveçla.

E ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal u shpreh se Qeveria e Kosovës do t’ua garantojë qytetarëve të drejtën elementare për kthim në shtëpitë e tyre, ndërsa ka shtuar se “parullat ekstremiste” tregojnë se Serbia nuk është e interesuar për normalitet.

“E drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre është e drejtë për secilin qytetar, është e drejtë elementare. Qeveria do ta garantojë këtë drejtë. Kemi filluar ndërtimin e 40 shtëpive në katër komunat veriore vitin e kaluar. Këto grafitë tregojnë që Serbia nuk është e interesuar për normalitet dhe nuk është e interesuar të ketë orientimin evropian. Kjo tregon se ku është e orientuar Serbia. Këto nuk na trembin dhe nuk do të ndalim me ndërtimin e shtëpive për të gjithë qytetarët”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka paralajmëruar se shumë shpejt do të hapë thirrjen e re në vlerë prej 3 milionë eurove për ndërtimin e shtëpive të reja për shqiptarët në katër komunat veriore, Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan.