Osmani: E mirëpresim shtimin e trupave të NATO-s

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova e mirëpret vendimin që Britania e Madhe të shtojë numrin e trupave të NATO-s pas zhvillime në veri.

E para e shtetit, në një intervistë për “Channel 4”, tha se prapa sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit qëndron Serbia.

“Ne jo vetëm që po hamendësojmë por e dimë nga të gjitha evidencat që e lidhin këtë grup terrorist me Serbinë, përfshirë faktin që ata janë trajnuar për disa muaj me ushtrinë e Serbisë”.

“E dyta, armët që ata kanë përdorur janë prodhuar nga industria ushtarake e Serbisë, të cilat nuk mund të shiten te individë që nuk janë pjesë e shtetit serb, ku disa prej tyre janë prodhuar në gjashtë javët e fundit”, tha Osmani.

Dhe, sipas Osmanit, njeriu i cili e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist, Milan Radojiçiq, është njëri nga njerëzit e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas Osmanit, e dha urdhrin për sulmin.