Osmani e quan histori suksesi Policinë e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur histori suksesi Policinë e Kosovës, në ceremoninë e shënimit të 23-vjetorit të themelimit të saj, që të martën u mbajt në Prishtinë.

Ceremonia, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e përfaqësues nga kori diplomatik, u shënua me parakalimin e gardës së këtij institucioni.

“Policia e shtetit tonë tregon se është jo vetëm një nga hallkat e shtetit, por ndër historitë më të suksesshme që mund të krijomë institucione të qëndrueshme me besueshmëri të lartë të qytetarëve tanë. Ju keni qenë vazhdimisht ndër shtyllat e shtetit dhe garantuesit e sigurisë dhe jetës e pronës së Kosovës. Dua t’i kujtojë policët që ranë në krye të detyrës që nuk janë kujtesa jonë e përhershme, duhet të vazhdojnë të jenë motivimi ynë për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve tanë. Policia e Kosovës ka dëshmuar se angazhimi për vendin është nder dhe ideal. Keni ndihmuar në ruajtjen dhe forcimin e sovranitetit të Kosovës. Republika e Kosovës është e interesuar të zhvillojë policinë dhe barazinë gjinore në këtë institucion. Anëtarësimi në Interpol dhe organizata tjera është shumë i rëndësishëm për arritjen e këtyre qëllimeve”, tha ajo, përcjell Ksp-ja.

Kryeministri Kurti në ceremoninë solemne të shënimit të 23-vjetorit të themelimit tha se zyrtari policor në çdo ditë të punës e ka detyrën e profesionit më fisnik, atë të mbrojtjes së qytetarëve.

“Javën që shkoi ne u ballafaquam me një rast shumë të rëndë ku një vajzë e mitur që sot do të duhej të ishte në bankat shkollore ndodhet në strehimore. Prandaj nga ju pritet të jeni në nivel të sigurisë në çdo cep e kudo”, u shpreh Kurti.

Ai tha se integriteti moral dhe personal janë shtylla të domosdoshme për Policinë e Kosovës.

“Jemi të vetëdijshme për sfidat tuaja por bashkërisht duhet të punojmë për të krijuar një Polici model me integritet moral dhe personal”, ka thënë ai.