Osmani i shkruan KPK-së: Kërkesa për dekretimin e Isufajt, presion ndaj institucionit të Presidencës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka dërguar letër kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Malokut, pas kërkesës së këtyre të fundit që të dekretohet sa më shpejtë Kryeprokurori i ri, kërkesë kjo që i shkoi Presidentes të mërkurën.

Në këtë shkresë të Osmanit, ajo e ka akuzuar KPK-në se po i bën presion institucionit të Presidencës.

Ajo shkruan se vazhdimisht ka qenë në komunikim me Këshillin.

“Në lidhje me kërkesën tuaj, me vendosmëri shpreh kundërshtimin tim ndaj presionit të papranueshëm dhe të paligjshëm që tentohet të ushtrohet mbi institucionin e Presidencës, lidhur me procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit. Këtë kundërshtim e ndërlidh me faktin se si Presidente kam qenë vazhdimisht e angazhuar në bashkëpunim me KPK-në, duke ju ofruar përgjigje lidhur me veprimet e mia që në tërësi janë bazuar në mbrojtjen e parimit themelor kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe respektimit të pavarësisë së sistemit të drejtësisë”, thotë ndër të tjera letra ePresidentes drejtuar kryesuesit të KPK-së, Jetish Malokut, të cilën e ka siguruar Klankosova.tv.

Tutje, shkresa potencon se kërkesa e KPK-së është pa bazë ligjore. Aty, Osmani ia ka rikujtuar Malokut se, sipas Kushtetutës, Këshilli e përfundon detyrën e tij në momentin që e propozon kandidatin.

“Në dritën e kësaj, me keqardhje më duhet të vë në pah se Kërkesa juaj e fundit e datës 05.04.2023 përpos që nuk ka bazë ligjore është edhe e pasaktë në përshkrimin e fakteve dhe paraqitjen e argumenteve. Për sa i përket bazës normative për paraqitjen e kërkesave të tilla nga ana e juaj, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se sipas neneve 84.17 dhe 109.7 të Kushtetutës, sikundër edhe nenit 7, paragrafit 1.3 të Ligjit për KPK-në, kompetenca e KPK-së në procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit përfundon në momentin e përmbylljes së procedurës dhe paraqitjes tek Presidentja të emrit të propozuar për Kryeprokuror të Shtetit”, thotë ndër të tjera letra e Osmanit.

Po ashtu, Presidentja i thotë Malokut se në shkresën e djeshme ka informacione dhe argumente të pasakta, faktike dhe ligjore.

“Dua të besoj se ato janë bërë nga pakujdesia e jo për ndonjë arsye tjetër”, thotë Osmani.

Në fund, Presidentja ka shtuar se do ta presë shterrimin e të gjitha afateve kushtetuese ligjore për ankesat e kundërkandidatëve të pakënaqur, dhe më pas do të vendosë për dekretimin e Kryeprokurorit.

Ky afat parashihet të përfundojë në fund të muajit.