Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka paralajmëruar se do të bëjnë kërkesë sërish për mbajtjen e seancës konstituive pas 48 orësh.
Ajo ka thënë se aktivitetin politik nuk do ta kufizojnë më vetëm brenda ndërtesës së Kuvendit. Ka shtuar se veprimet e tyre do të zhvendosen edhe jashtë tij në forma më të gjera të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar.
Çitaku ka thënë se deputeti më i vjetër i Kuvendit i cili është kryesues i seancave, Avni Dehari po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit dhe po i nënshtrohet vullnetit të partisë së tij.
“Kuvendi nuk u konstituua brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, më pas u shpërfill detyrimi procedural për vazhdimin e seancës konstituive çdo 48 orë, dhe pas kërkesës sonë, u refuzua thirrja e seancës”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka thënë se Kushtetuta zbatohet vetëm kur i përshtatet një partie.
Sipas saj kur vullneti i një partie politike vendoset mbi Kushtetutën, rregullat dhe institucionet, atëherë ka shtuar se ka suspendim praktik të rendit kushtetues dhe demokracisë. Ka thënë se Kuvendi është efektivisht i mbyllur dhe deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit të tyre.