Protesta e pestë në Prishtinë, mijëra qytetarë kundër vendimit të Hagës

Mijëra qytetarë në Prishtinë në natën e pestë të protestave kundër aktgjykimit të Hagës

Mijëra qytetarë janë mbledhur të dielën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në natën e pestë radhazi të protestave kundër aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Protestuesit kanë shpalosur një flamur të madh kombëtar shqiptar me emblemën e UÇK-së, ndërsa nga turma janë dëgjuar thirrjet “UÇK, UÇK, UÇK”.

Në mesin e protestuesve kanë qenë edhe familjarë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët më 16 shtator u dënuan nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte.

Një nga organizatorët e protestës, Çlirim Haziri, ka thënë se kërkesa kryesore e protestuesve është ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Haziri ka paralajmëruar se protestat mund të zgjerohen nëse deri të hënën nuk ka iniciativë për ndryshimin e ligjit.

Ai i ka bërë thirrje gjithashtu Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë mbështetjen për mbrojtjen e të dënuarve gjatë procedurave në Hagë.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi i kanë mohuar akuzat dhe kanë paralajmëruar ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

Thaçi dhe Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet.

Trupi gjykues i ka shpallur ata përgjegjës penalisht për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave. Të katër janë shpallur të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit.