Pse po bien normat e vaksinimit të fëmijëve? 

Normat e vaksinimit të fëmijëve në Britani kanë rënë ndjeshëm gjatë 15 vjetëve të fundit, por sipas ekspertëve shkaku kryesor nuk janë teoritë kundër vaksinave në rrjetet sociale, ka shkruar BBC.

Sipas tyre, arsyeja kryesore është se prindërit kanë gjithnjë e më pak kontakte të drejtpërdrejta me mjekët dhe infermierët, ndërsa qasja në shërbimet shëndetësore është bërë më e vështirë.

Një shembull është Lily, një nënë e re që nuk arriti ta vaksinonte në kohë djalin e saj 20-javësh, Grayson. Pas një lindjeje të vështirë dhe depresionit pas lindjes, ajo e kishte të pamundur të udhëtonte deri te ambulanca.

“Kisha kaluar net pa gjumë dhe mezi dilja nga shtëpia. Nuk doja të udhëtoja deri në një qytet tjetër”, ka thënë ajo.

Më vonë, Lily zbuloi një pikë vaksinimi të hapur në një qendër tregtare në Keighley, ku shërbimi ishte shumë më i lehtë për t’u arritur.

“Duhet t’i çojmë shërbimet aty ku janë njerëzit. Sa më e lehtë të jetë qasja, aq më shumë prindër i vaksinojnë fëmijët”, ka thënë koordinatorja e projektit Flora Jennings.

Në këtë pikë edhe mund të bëhet peshimi i foshnjave, ka kënd lojërash dhe ambiente miqësore, duke bërë që shumë prindër të vendosin t’i vaksinojnë fëmijët gjatë vizitës.

Sipas ekspertëve, shumica e prindërve nuk janë kundër vaksinave, por shpesh i shtyjnë ato për shkak të mungesës së kohës, vështirësive praktike ose mungesës së kujtesës.

Në Angli, numri i vizitave në shtëpi nga infermierët dhe mamitë është ulur me rreth 45 për qind gjatë dekadës së fundit, ndërsa shumë familje nuk takojnë më vazhdimisht të njëjtin mjek familjar.

“Nëse i shohim vetëm shifrat, rënia nuk duket dramatike. Por krahasuar me vendet e tjera evropiane, Britania është ndër më të dobëtat për vaksinimin e fëmijëve në vitet e para të jetës”, ka thënë profesori Dan Hungerford nga Universiteti i Liverpoolit.

Dezinformimi ekziston, por nuk është arsyeja kryesore

Edhe pse postimet kundër vaksinave në rrjetet sociale ndikojnë te disa prindër, ekspertët besojnë se ato nuk janë faktori vendimtar.