Rama i akordon Fatos Nanos “Medaljen e Mirënjohjes Publike”: Lutem për të në këto orë të vështira të luftës për jetën

Dy ditë më parë u bë publik lajmi për gjendjen kritike shëndetësore të ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në një spital privat në Tiranë.

Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar sot përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook ku shpreh mirënjohje ndaj liderit historik të PS-së duke theksuar se lutet për shëndetin e tij.

Krahas fjalëve të ndjera, Rama ka postuar dhe “Medaljen për Mirënjohje Publike” e cila i takon sipas tij Fatos Nanos për të gjitha kontributet e tij në krijimin e shtetit demokratik.

“Lutem për Fatos Nanon! Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme, në një tokë të djegur prej zjarrit e hekurit të perandorive e regjimeve që pasuan njëri-tjetrin qysh prej pavarësimit të Shqipërisë, ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci, meriton sot lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme”, shkruan Kryeministri.

Kujtojmë se prej më shumë se një jave, Nano është në intubim pasi atij i është rikthyer një problem kronik respirator që në gjuhën mjekësore, njihet me SPOK, sëmundje pulmonare obstruktive kronike. Fatos Nano ka qenë 3 herë Kryeministër i vendit në periudha të ndryshme. Ai u largua nga pushteti në vitin 2005 dhe si rrjedhojë dhe nga drejtimi i partisë.