Rama kërkon votën e asamblistëve për themelimin e ndërmarrjes së re “Pastrimi” në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u ka bërë thirrje anëtarëve të Kuvendit të Kryeqytetit që të votojnë themelimin e ndërmarrjes së re komunale “Pastrimi”, duke e paraqitur këtë si zgjidhje përfundimtare për problemin e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.

Në një konferencë për media, Rama tha se mbeturinat janë një nga problemet më serioze me të cilat po përballet Prishtina dhe se qytetarët nuk duhet të mbeten, siç u shpreh ai, “peng i përplasjeve politike”.

“Çështja e mbeturinave nuk është çështje politike, edhe pse, për fat të keq, është përdorur vazhdimisht nga oponentët politikë. Ne jemi të vendosur që qytetarët të mos mbeten peng”, deklaroi Rama.

Ai tha se gjatë javës së kaluar janë zhvilluar takime me menaxhmentin dhe punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi”, si dhe me kryetarët e komunave të tjera, me qëllim të diskutimit të mundësive për zgjidhjen e problemit.

Sipas Ramës, Prishtina aktualisht është pjesë e një ndërmarrjeje rajonale ku përfshihen gjashtë komuna, ndërsa rritja e qytetit ka shtuar nevojat për shërbime të menaxhimit të mbeturinave.

Ai vlerësoi se modeli aktual nuk po arrin t’u përgjigjet nevojave të kryeqytetit dhe se Prishtina po bart barrën kryesore në këtë sistem.

Rama foli edhe për një financim të Qeverisë Gjermane, duke pretenduar se Prishtina ka humbur 74.1 milionë euro financim për shkak të mungesës së një nënshkrimi nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

“Prishtina ka humbur 74.1 milionë euro financim nga Qeveria Gjermane për shkak se Ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk e ka dhënë nënshkrimin e nevojshëm”, tha Rama.

Ky është pretendim i kryetarit të Prishtinës, ndërsa gjatë konferencës nuk u paraqitën detaje të tjera apo dokumentacion lidhur me këtë financim.

Rama tha se, përballë situatës aktuale, Komuna e Prishtinës ka vendosur të procedojë me themelimin e një ndërmarrjeje të re komunale “Pastrimi”, duke përmendur si shembull edhe komunat e Fushë Kosovës dhe Obiliqit, të cilat, sipas tij, kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm.

Ai kërkoi mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Kryeqytetit për këtë propozim, duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë edhe asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nesër kemi mundësinë jetike që njëherë e përgjithmonë ta zgjidhim çështjen e mbeturinave në Kryeqytet. Votojeni themelimin e ndërmarrjes së re komunale ‘Pastrimi’. Kjo është përgjegjësi ndaj qytetit dhe ndaj qytetarëve që ju kanë votuar për të marrë vendime në interes të tyre”, tha ai.

Kryetari i Prishtinës tha se problemi me mbeturinat prek lagje të ndryshme të kryeqytetit dhe ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

“Mbeturinat janë në lagjet ku jetoni dhe në rrugët ku kalojnë fëmijët tuaj. Nëse votoni kundër zgjidhjes, votoni kundër vetes dhe familjeve tuaja”, u shpreh Rama.

Sipas tij, propozimi për themelimin e ndërmarrjes së re komunale tashmë është përgatitur dhe pritet të shqyrtohet në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kryeqytetit.

“Propozimi është gati, zgjidhja është gati. Nesër secili asamblist duhet të votojë pro dhe ta zgjidhim njëherë e mirë çështjen e mbeturinave në Kryeqytet”, përfundoi Rama.

Vendimi për themelimin e ndërmarrjes së re tashmë i mbetet Kuvendit të Kryeqytetit, ku asamblistët do të përcaktojnë nëse Prishtina do të kalojë drejt një modeli të ri për menaxhimin e mbeturinave.