Rama në Bruksel: Çmenduri dhe turp – kosovarët nën Jugosllavi lëviznin lirshëm, tash mbahen peng

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur të çmendur dhe të turpshëm izolimin që po u bëhet qytetarëve të Kosovës me mosliberalizimin e vizave, pavarësisht plotësimit të kushteve.

Ai pas samitit të Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor ka thënë se kjo ka qenë një nga temat për të cilat ka folur me liderët evropianë.

“Është një kidnapim që po u bëhet qytetarëve të Kosovës. S’po u lejohet të lëvizin të lirë. I vetmi popull në shpirt të Evropës e që s’mund të lëvizë lirshëm. Ju thashë: ‘Ishin nën diktator të Jugosllavisë, ndoshta dy. Mund të lëviznin kudo e të punonin. Që kur u çlirua, çliruesit e tyre po i mbajnë peng. S’mund të lëvizin’. Kjo është çmendur, e turpshme dhe duhet të përfundojë. Njerëzit duhet të lëvizin lirshëm”, ka thënë Rama në një konferencë për shtyp pas samitit, bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski.