Reshjet e shiut mund të shkaktojnë disa vërshime të shpejta

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), njofton se gjatë orëve të paradites kanë filluar reshje të shiut në tërë vendin, me intensitet më të lartë nëpër disa zona të cilat mund të shkaktojnë disa vërshime të shpejta, sidomos nga rrjedhat lumore me karakter malor, që mund të shkaktojnë pengesa në qarkullim, sisteme të kanalizimit, probleme në të gjitha aktivitetet bujqësore, probleme me trafikun, rrezik për rrëshqitje dheu, etj.

Bëhet e ditur se nuk parashikohet të ketë përmbytje lumore, sidomos nga lumenjtë kryesorë, të cilët aktualisht kanë nivele nën kuotat e tyre mesatare për këtë periudhë të vitit.

Gjatë orëve të pasdites së sotme gradualisht reshjet do të bien në intensitet dhe shtrirje dhe situata e përgjithshme hidrometeorologjike do të fillojë gradualisht të stabilizohet.