Profesori amerikan Daniel Serwer ka vlerësuar se Kosova ka kaluar një vit të vështirë për shkak të bllokadës institucionale dhe pamundësisë për të formuar institucionet e reja.
Ai u shpreh optimist se kësaj radhe do të arrihet formimi i Qeverisë dhe zgjedhja e presidentit, por theksoi se kjo do të kërkojë kompromise mes partive politike.
Sipas Serwerit, vështirësitë lidhen edhe me vetë sistemin parlamentar, ku presidenti dhe qeveria zgjidhen nga Kuvendi, duke bërë të domosdoshëm bashkëpunimin politik.
Ai shtoi se situata të ngjashme ndodhin edhe në vende të tjera me sisteme parlamentare, por theksoi se bllokada nuk i ka bërë mirë imazhit dhe stabilitetit të Kosovës.
Sa i përket projektit për gazin amerikan, Serwer tha se nuk ka informacion të mjaftueshëm për të dhënë një vlerësim, megjithëse vlerësoi se gazi është alternativë më e mirë se linjiti nga aspekti mjedisor.
Në fund, ai nënvizoi se pavarësisht ndryshimeve të qeverive ndër vite, miqësia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka mbetur e pandryshuar.