“Shantazhe, shpifje”, “as një sekondë s’duhet të rrish aty”, ministrja Hajdari përplaset me deputetët e PDK-së

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është përfshirë në një debat parlamentar me deputetët e PDK-së, pasi kjo parti propozoi në seancën e sotme të Kuvendit një rezolutë për gjendjen në dikasterin me të cilin udhëheqë ajo, duke pretenduar se ajo “ka shënuar dështim dhe skandale të vazhdueshme gjatë këtij mandati qeverisës”, raporton Gazeta Express.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala foli për skandale dhe afera të shumta në këtë ministri, të cilat ministrja Rozeta Hajdari i quajti “informata gjysmake, të paplota”, me të cilat kjo parti, sipas saj është “duke krijuar shantazhe, shpifje dhe më shumë”.

“A janë dokumentuar në ndonjë raport të Auditorit këto skandale? A ka ndonjë shkelje në raport të Auditorit?”, u përgjigj kështu Hajdari.

Shala e pyeti ministren se “pse i ke shkarkuar 7 sekretarë?”.

“Unë e di që janë më pak, janë ushtrues detyre. Unë jam ministre e përgjegjshme që kur bëhet një gabim ose nuk ka mundësi të menaxhojë, duhet të ndërrohet. Dhe s’ka asgjë personale me këta zyrtarë”, tha ministrja.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se “ministrja në një formë apo një tjetër i konfirmoi pretendimet tona për keqpërdorimet që kanë ndodh”.

“As edhe një sekondë s’duhet të rrish në atë karrigë ku je”, tha ai ndër tjerash.