Shkarkimi i Gledis Nanos, qëndroi vetëm 10 muaj në krye të Policisë së Shtetit

Ka zgjatur vetëm 10 muaj qëndrimi i Gledis Nanos në krye të Policisë së Shtetit në Shqipëri.

Pas një sezoni turistik me mjaft ngjarje kriminale të pa zbardhur dhe me hije dyshimi për implikim të policisë në krim, Gledis Nano u shkarkua nga detyra.

“Nuk përmbushi objektivat duhet reagim i fortë dhe menaxhim efikas. Komandohet Tonin vVcaj. Së shpejti emri i ri”, tha ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Gledis Nano prej 6 tetorit të vitit të kaluar u emërua me bujë në krye të policisë pas një karriere premtuese në drejtorinë e Antiterrorit dhe kualifikimeve në Amerikë. Por pritshmëritë u zbehën shpejt që me emërimet e para që ai bëri në pikat kyçe të policisë. Qoftë në departamente ashtu edhe në drejtoritë vendore drejtori i ri cikloi të njëjtët persona duke mos i dhënë policisë asgjë të re nga drejtimi i Ardi Velut.

Kontrolli i territorit dhe policia kriminale lanë po ashtu për të dëshiruar. Vetëm gjatë këtij viti në vend janë shënuar 40 vrasje me 47 viktima dhe shumica prej tyre janë ende pa autor.

Nën drejtimin e policisë nga Gledis Nano pati dhe ngjarje të rënda ku autor ishin vetë uniformat blu, siç ishte vrasja e Jurgen Dukës në një market në Tiranë nga polici Arbër Sula apo vrasja e vogëlushes 7 vjeçare në plazhin e Potamit nga komisari Arjan Tase.

Gjatë operacionit “Plumbi i Artë” pati dhjetëra urdhër arreste, por në pranga nuk ranë emrat më të spikatur të botës së krimit. Madje për Ervis Martinajn në arrati, familja e denoncoi të zhdukur, por policia nuk ka një përgjigje se çfarë ka ndodhur me të, pavarësisht se në kamera ai është kapur në Durrës e Tiranë, i shoqëruar nga një punonjës policie, Jeton Lami, i cili tashmë është në pranga.

Gjatë kësaj të mërkure u plotësua dhe vendi vakant i zëvendës drejtorit të SHISH. Në këtë pozicion u emërua Oljan Kanushi, i cili do të komandohet drejtor në mungesë të kreut të SHISH Helidon Bendo, i cili ka shkuar për trajnim 1 vjeçar jashtë vendit.