Shtyhet ndeshja derbi Drita – Ballkani

Një tjetër ndeshje e edicionit aktual të Superligës së Kosovës në futboll do të shtyhet për një datë tjetër. Ndeshja derbi e javës së tretë të Superligës në mes të Dritës dhe Ballkanit do të shtyhet për një datë tjetër. Në arsyetimin e Komisionit të Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës është bërë e ditur se ndeshja shtyhet “për arsye të interesit të futbollit të Kosovës”.

Në njoftim bëhet e ditur se Ballkani të enjten dhe më 31 gusht luan dy ndeshje të rëndësishme të plejofit të Ligës së Konferencës kundër BATE Borisovit. Ndeshja e parë luhet në Prishtinë të enjten nga ora 20:45, kurse e kthimit në Hungari pas një jave. Ndeshja Drita – Ballkani ishte paraparë të luhej të dielën, por është shtyrë për një datë tjetër. Për një termin tjetër është shtyrë edhe ndeshja në mes të Fushë-Kosovës dhe Gjilanit, që i takon javës së parë të elitës së futbollit të Kosovës.