Shtyhet seanca për zgjedhjen e presidentit

Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit është shtyrë për në orën 14:00, ndonëse ishte paralajmëruar të mbahej në orën 10:00.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se vendimi për shtyrje është marrë në pritje të deputetëve të opozitës, të cilët janë ftuar të marrin pjesë në seancë. Ajo theksoi se pjesëmarrja e tyre është obligim kushtetues dhe e domosdoshme për mbarëvajtjen e procesit.

Ndërkohë, vazhdimi i seancës së nisur më herët gjatë javës ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, duke pamundësuar zhvillimin e mëtejmë të votimit për zgjedhjen e presidentit.

Një ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar dy kandidate për presidente: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, pasi nga gara ishin tërhequr emrat e propozuar më herët, Glauk Konjufca dhe Mulhaxha.

Në rundin e parë të votimit, Rushiti siguroi 63 vota, ndërsa Hoxha nuk arriti të marrë mbështetje. Megjithatë, procesi u ndërpre për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm të deputetëve në sallë.

Partitë opozitare kanë bojkotuar seancën dhe kanë kritikuar shumicën parlamentare, duke e cilësuar nisjen e saj pa praninë e të paktën 80 deputetëve si shkelje të Kushtetutës dhe procedurave demokratike, shkruan Gazeta Stop.

Nga ana tjetër, përfaqësues të pushtetit kanë mbrojtur procesin, duke theksuar se gjithçka është zhvilluar në përputhje me rregullat parlamentare dhe se përpjekjet për zgjedhjen e presidentit do të vazhdojnë.

Ende nuk ka një datë të qartë për vazhdimin e seancës, ndërsa zgjedhja e presidentit mbetet e varur nga arritja e një konsensusi më të gjerë politik.