Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Andin Hoti, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të ekzekutohen pagesat e njëhershme në vlerë prej 100 eurosh për pensionistët dhe fëmijët.
Sipas tij, realizimi i këtyre pagesave vjen pas ekzekutimit të mbështetjes financiare për lehonat, e cila është bërë gjatë ditës së djeshme.
“Njoftojmë qytetarët se pagesa e njëhershme prej 100 eurosh për fëmijë dhe pensionistë del sot, ngase dje u ekzekutuan pagesat e njëhershme për lehonat me rritje në vlerën 500 euro”, ka deklaruar Hoti në RTV Dukagjini.
Qeveria kishte paralajmëruar këto masa mbështetëse si pjesë e pakos sociale për qytetarët, me qëllim të lehtësimit të përballjes me rritjen e kostos së jetesës dhe mbështetjes së kategorive të ndryshme sociale në vend.