Sot në Kosovë ditë zie për viktimat e tërmetit në Turqi e Siri

E mërkura në Kosovë, me vendim të presidentes Vjosa Osmani, është shpallur ditë zie, në nderim të mijëra viktimave nga tërmetet që goditën Turqinë e Sirinë më 6 shkurt.

Osmani të martën në një njoftim në Facebook ka thënë se mendimet dhe lutjet e Kosovës janë për viktimat, të lënduarit dhe të gjithë të prekurit nga tërmeti.

“Përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona. Prandaj, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, ditën e mërkurë, 8 shkurt 2023 e kam shpallur Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, i cili la mijëra të vdekur e të lënduar”, ka shkruar presidentja e Kosovës.

Osmani tutje ka shkruar se Kosova është në dispozicion të plotë të vazhdojnë mbështetjen.

“Fuqia shkatërruese e këtij tërmeti ka tronditur zemrat e gjithsecilit, porse mbështetja ndaj njëri- tjetrit në këto ditë tmerri ngjallë shpresën dhe besimin se jeta do të triumfojë”, ka shkruar Osmani.

Kosova ka dërguar 30 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë për t’i dalë në ndihmë autoriteteve turke. Edhe Ministria e Shëndetësisë ka dërguar një ekip të mjekëve dhe infermierëve.