Sot pritet moti shumë i nxehtë, temperaturat deri në 38 gradë

Kosova do të përfshihet nga një valë e temperaturave të larta të premten, ndërsa moti do të jetë kryesisht me diell në të gjithë territorin e vendit.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), dita do të karakterizohet nga mot i kthjellët dhe i nxehtë, me temperatura që në disa zona do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13 dhe 16 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të jenë nga 30 deri në 38 gradë Celsius, duke e bërë të premten një nga ditët më të nxehta të kësaj periudhe.

Instituti njofton se moti i qëndrueshëm do të mbizotërojë gjatë gjithë ditës, pa reshje të parashikuara, ndërsa rrezatimi i lartë diellor dhe temperaturat e larta pritet të dominojnë në pjesën më të madhe të vendit.

Autoritetet u rekomandojnë qytetarëve të shmangin ekspozimin e panevojshëm në diell gjatë orëve të mesditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta.