Studentët e Mjekësisë në Shqipëri, nuk pranojnë tarifën e studimit

Studentët e mjekësisë protestojnë sërish pasi nuk e pranojnë tarifën e studimit 240 mijë lekë të reja.

Ata insistojnë në shfuqizimin e ligjit, ndërsa që prej fillimit të vitit akademik, auditoret e Fakultetit të Mjekësisë kanë qenë pothuajse bosh.

Tarifa u miratua dy ditë më parë nga bordi i administrimit, ku çdo student i mjekësisë që nuk përmbush detyrimin ligjor, për të ofruar shërbim shëndetësor nga 3- deri në 5 vite në vendin e tij, do të duhet të paguajë një tarifë prej 240 mijë lekë të reja për çdo vit studimi. Nëse një vit studimi ka kosto 240 mijë lekë, për 6 vite studentët duhet të paguajnë 1.440.000 lekë.

Referuar vendimit të Këshillit të Ministrave, për të përcaktuar këtë tarifë u ngrit një grup pune për përllogaritjen e kostove për një student që ndjek studimet në fakultetin publik të mjekësisë.

Më pas kjo tarifë u kalua në senat dhe të hënën pasdite u miratua edhe nga bordi i administrimit.