Totaj: Vetëvendosje duhet të shkojë në opozitë

Nënkryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj, ka folur për zhvillimet politike pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke u ndalur te procesi i formimit të institucioneve të reja dhe zgjedhja e presidentit të Kosovës.

Në një intervistë për Klan Kosova, Totaj ka kritikuar liderin e Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ai është një politikan të cilit nuk mund t’i besohet.

“Kur është në pyetje z. Kurti, çka nuk pritet prej këtij njeriu. Deri më tani fjalët e tij kanë treguar që absolutisht nuk mundesh me i besu, sepse nuk e ka mbajtur asnjë premtim dhe nuk ka qëndrueshmëri. Herë thotë ashtu e herë kështu”, ka deklaruar Totaj.

Ai shtoi se mënyra e veprimit të Kurtit gjatë qeverisjes ka dëshmuar, sipas tij, mungesë konsistence dhe ndryshim të vazhdueshëm të qëndrimeve.

“Duke u bazuar në mënyrën e veprimtarisë së tij të deritanishme në pozitë, ai ka treguar se nuk mund t’i besohet, sepse shumë shpesh ndryshon, nuk e mban asnjë premtim, ndërron qasjen dhe përdor gjuhë shumë të rëndë”, u shpreh Totaj.

Nënkryetari i PDK-së theksoi gjithashtu se, sipas vlerësimit të tij, pas zgjedhjeve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje duhet të kalojë në opozitë, ndërsa vendi ka nevojë për institucione të reja që do të sigurojnë stabilitet politik dhe funksionalitet institucional.