Trepça tregon si ndodhi aksidenti ku u lënduan 12 minatorë

Ndërmarrja Trepça ka thënë se aksidenti në minierën e Stantërgut, ku mbetën të lënduar 12 minatorë ka ndodhur gjatë pastrimit të gypave të pompave me acid sulfurik dhe gjatë mirëmbajtjes ka pasur rrjedhje të acidit nga bombola. 
Sot me datë 17.01.2024, në minierën e Stantërg-ut në ora 12:35h, në horizontin e XI, ka ndodhur një aksident gjatë pastrimit të gypave të pompave me acid sulfurik. Gjatë mirëmbajtjes së gypave ka ndodhur rrjedhje e acidit sulfurik nga bombola, me ç ‘rast janë lënduar 12 punëtorë të minierës së Stantërg-ut.

Trepça thotë se ekipet e shpëtimit të minierës i kanë dhënë ndihmën e parë të lënduarve e më pas të njëjtit janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në spitalin e Mitrovicës.

Ekipet shpëtuese të minierës në krye me Udhëheqësin e Njësisë Biznesore kanë reaguar me shpejtësi për evakuimin e punëtorëve të lënduar nga miniera dhe dhënien e ndihmës së parë duke vazhduar me trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.” 

Nga Trepça kanë thënë se tetë prej të lënduarve kanë marrë lëndime më të lehta, ndërsa dy janë me lëndime më të rënda.

Nga stafi i mjekëve kompetent u njoftuam se gjendja e punëtorëve të lënduar është në përmirësim e sipër, tetë prej tyre janë me lëndime më të lehta të cilët po marrin trajtimin mjekësor në emergjencë dhe dy prej tyre janë me lëndime më të rënda por të mjekueshme të cilët po marrin trajtimin mjekësor në qendrën e oftalmologjisë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

Më tej, nga ndërmarrja Trepça iu ka uruar shërim të shpejtë minatorëve të lënduar.

Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes Trepça Sh.A., U.D. Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjes Trepça Sh.A., Udhëheqësi i Njësisë Biznesore Minierat e Stantërgut me Flotacion Tunel i Parë, shprehin keqardhje për aksidentin e ndodhur në minierë si dhe urojnë shërim të shpejt dhe të plotë për punëtorët e lënduar të minierës.