Vendos ZRRE-ja, rryma shtrenjtohet 15% nga 1 prilli

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e saj të fundit ka miratuar tarifat e reja për energjinë elektrike.

Duke filluar nga 1 prilli, rryma do të shtrenjtohet për 15.4 për qind bazuar në këto tarifa.

Sipas ZRRE-së, kjo rritje ka ardhur për arsye se ende çmimet e importit për energji mbesin të larta.

Vendimi thotë se ata që harxhojnë 300kWh rritja do të jetë 2.88 euro, kurse ata që shpenzojnë 450kWh rritja do të jetë 4.18 euro dhe për harxhim 600kWh rritja do të jetë 5.49 euro.

Për ata që harxhojnë 800kWh rritja do të jetë 7.21 euro, ndërsa ata që shpenzojnë 1,000kWh rritja do të jetë 10.51 euro dhe konsumatorët që harxhojnë 1,200kWh rritja do të jetë 13.80 euro.

Kujtojmë se ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.