Veteranët: Nëse dekretohet paga minimale, do t’i bllokojmë deputetët

Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë përsëritur qëndrimin e tyre se do t’i bllokojnë deputetët që të mos hyjnë në Kuvend për punën e tyre, po që se dekretohet Ligji për pagën minimale, që nuk garanton rritjen e pensionit të veteranit në lartësinë e pagës minimale.

Veteranët kanë dhënë këtë qëndrim të martën, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, të cilës kanë thënë se i kanë kërkuar mosdekretim.

Xhavit Jashari nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, i bëri thirrje presidentes Vjosa Osmani që të mos e dekretojë Projektligjin, pasi siç tha ai, do t’ia vë vetes një njollë shumë të keqe dhe sipas tij, ky Projektligj diskriminon “kategorinë më të lavdishme të luftës”.

“Edhe në përputhje me ligjet që zbatohen, ne do t’i shfrytëzojmë rrugët ligjore. Do ta kundërshtojmë edhe me protestë, do t’i bllokojmë deputetët që të mos futen në Kuvend. Këto aktivitete s’i bëjmë për një pagë, por këtu po shkelet dinjiteti i kësaj kategorie, i luftës së UÇK-së, janë shkelur institucionet dhe sikur kjo Qeveri s’do ta dijë rrugën si kemi ardhur deri këtu”, u shpreh ai.

Ndërsa, kreu i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, u shpreh pas takimit se Osmani ishte adresa e tyre e fundit për këtë çështje.

“Treguam që adresa jonë e fundit po mbetet presidentja. Treguam se si me ligjet e mëhershme, fare neve si organizata të dala nga lufta as s’kanë konsultuar…e as s’na kanë ftuar në dëgjime publike t’i japim propozimet dhe ë miratohen nga ne, që me pëlqimin tonë të kalojnë ligjet”, tha ai.

Klinaku theksoi se me kryeministrin Albin Kurti nuk kanë zhvilluar takime tash e një vit, e siç tha ai, takime s’kanë pasur as me këshilltarë të tij.

“Kjo Qeveri asnjëherë s’ka pasur kontakte me neve sepse ne si organizata të dala nga lufta, kemi bërë shkresa dhe s’janë përgjigjur. Presidentja na u përgjigj, ne i paraqitëm shqetësimet tona që kjo qeveri as protezat s’ua rregullon. Presidentes ia paraqitëm disa gjëra edhe disa ligje që i ka shkelur e i shkel kjo Qeveri”, tha ai.

Klinaku deklaroi tutje se Qeveria Kurti po trumpeton për numrin e veteranëve të luftës, por siç tha ai, kjo nuk është nën kompetencën e saj.

“Çdo verifikim është bërë me komandantët. Të gjitha aplikacionet janë në gjyq dhe derisa të përfundojë procesi, kjo Qeveria s’ka të drejtë të bëjë ligje të reja për të e as ndërhyrje”, shtoi ai.