“Voto për Trustin” – opozita proteston në nisje të seancës

Me protestë të opozitës ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Grupit Parlamentar të AAK-së kanë hyrë në seancën e sotme me pankartat “Voto për Trustin”, të cilat pastaj janë vendosur përballë ligjvënësve, në tavolinat e kabinetit qeveritar.

Pal Lekaj ne emër të grupit parlamentar të AAK-së ka folur në Kuvendin e Kosovës për çështjen e Trustit ku i ka bërë thirrje deputetëve të partisë në pushtet që ta votojnë ligjin për trustin, raporton Gazeta Blic.

Sipas tij, partia në pushtet duhet t`i lë anash inatet politike dhe të votojnë për Trustin .

“Muajt e fundit nga tereni me takimet me qytetarët po shohim se janë lodhur nga rritja e çmimit të secilit produkt e shërbimit në vend. Qytetarët janë keq dhe po kërkojnë ndihmën e shtetit . Ju them ta leni krenarinë anash, leni anash ndjesinë e fituesit dhe inatet politike. Kthejeni shpresën te qytetari dhe ta ndalim trendi ne ikjes së qytetarëve nga Kosova sepse çdo i dytë dëshiron ta lë Kosovën. Prandaj në emër të qytetarëve që përfaqësoj ju lutem dhe ju bëjë thirrje që të përkrahni edhe ju si pozitivë këtë projektligj”, tha ai.

Seanca e sotme ka në rend të ditës 10 pika, përfshirë zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit si dhe zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.