Vuçiq premton qindra mijëra dinarë për serbët e Kosovës: Kush lind më shumë se 4 fëmijë do të marrë dhuratë të “veçantë”

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë sot se pritet që nga 1 maji të fillojë pagesa prej 500 mijë dinarësh ndihmë për çiftet serbe që jetojnë në Kosovë e që do të lindin fëmijën e parë. Ai gjithashtu ka thënë se shteti serb do të japë 600 mijë dinarë për fëmijën e dytë, meqë sipas tij, serbët e Kosovës “duan të kenë më shumë fëmijë”

“Njerëzit e Kosovës e dinë se sa e rëndësishme është të kujdesen për vatrën e tyre dhe duan të kenë më shumë fëmijë, por nëse ne i ndihmojmë që të marrin pajisje dhe rroba për foshnjat dhe gjithçka tjetër më lehtë, kjo është e rëndësishme për ne”, ka thënë Vuçiq, shkruan KosSev.

Vuçiq ka thënë se për ata që do të bëjnë fëmijët e tretë apo të katërt do të ketë edhe më shumë shpërblime, ndërkohë për ata prindër që do t’i bëjnë më shumë se katër fëmijë do të ketë “shpërblime të veçanta”.