Xherdan Shaqiri pritet të jetë yll i madh në SHBA

Xherdan Shaqiri pritet të jetë “fytyrë e ndryshimit” te skuadra amerikane Chicago Fire. Pritjet e shikuesve të skuadrës së Chicagos janë të mëdha. Transferimi i Shaqirit nga Lyoni te skuadra e MLS-së është në prag të finalizimit.

Dalja nga inferioriteti është synimi i madh i skuadrës Chicago Fire, që prej vitit 2019 është në pronësi të Joe Mansuetos. Gjërat pritet të ndryshojnë te kjo skuadër nën Mansueton. Klubi ka stemë të re dhe ka lëvizur në një stadium më të madh.

Më shumë se 60 mijë shikues që do të jenë në stadium, do të kenë sërish kënaqësi. Për këtë skuadra e ligës MLS po e transferon Xherdan Shaqirin. Ylli i Zvicrës, që po largohet nga Lyoni, po pritet me padurim nga tifozët e Chicagos, ka shkruar “Blick” të dielën.

“Tifozët kanë shpresa të mëdha për Shaqirin. Shaqiri mund të jetë yll i madh i Majos League Soccer”, ka thënë gazetari Tom Bogert për “Blick”. Ai vlerësohet ekspert i ligës MLS.

Shaqiri do të jetë transferim rekord i Chicagos. Transferimi i tij i kushton skuadrës amerikane rreth shtatë milionë euro.

“Tifozët janë të uritur për sukses dhe besojnë se Shaqiri mund të sjellë suksesin për ta. Është lëvizje shumë e mirë nga Chicago. Shaqa është vetëm 30-vjeçar dhe pritet të luajë rol vendimtar te Zvicra në Botërorin 2022. Dhe me gjasë është prej lojtarëve më të talentuar në SHBA”, ka shtuar Bogert.

Falë transferimit të Shaqirit, e gjithë liga MLS pritet të kthejë sytë kah Chicago. Klubi ishte i parëndësishëm për kohë të gjatë në MLS. Me Shaqirin gjërat pritet të ndryshojnë.

Chicago tashmë ka angazhuar disa lojtarë, por Shaqiri do të jetë figura kryesore.

“Nëse ai është i motivuar, do të kemi shumë kënaqësi së bashku”, ka theksuar Bogert.

Shaqiri nuk ka “ndezur” te Lyoni, ndonëse është transferuar me bujë. Ka pasur telashe me hapësirë, njëjtë si te Liverpooli ku ishte më parë. Ka luajtur edhe për Stoke Cityn, Interin, Bayernin e Baselin. Ka shkëlqyer herë pas here, por pas Baselit asnjëherë në vazhdimësi. Ndryshe është te Zvicra ku për kohë të gjatë është lojtar yll.