Memli Krasniqi i thotë PO, Kurtit për takim

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të koalicionit Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, Albin Kurti, për një takim para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që pritet të mbahet nesër.

Përmes një deklarate në Facebook, Krasniqi ka theksuar rëndësinë e zhbllokimit institucional dhe të rikthimit të funksionimit të rregullt të Kuvendit, duke thënë se një veprim i tillë është thelbësor për të hapur rrugën e formimit të Qeverisë së re në përputhje me afatet kushtetuese.

“Do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim, duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka inkurajuar Kurtin që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale politike dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për formimin e institucioneve të reja, duke theksuar rëndësinë e gjetjes së një kandidati ose kandidateje që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve.

Sa i përket çështjes së nënkryetarëve të Kuvendit, kreu i PDK-së ka qenë i qartë se kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe nuk lë vend për diskutime.

Krasniqi ka shtuar se PDK do të vazhdojë të veprojë me seriozitet dhe në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar. Ai ka paralajmëruar se qëndrimet e detajuara të partisë do të bëhen publike nesër përmes një konference për media, gjatë dhe pas takimit me Kurtin.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën e Kurtit.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Sot kam pranuar një letër nga Kryetari i koalicionit Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, z. Albin Kurti, me ftesë për një takim para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që mbahet nesër.

Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim.

Në këtë frymë, e inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale.

Në këtë kontekst, gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara.

Natyrisht, për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe e përcaktuar qartë.

Partia Demokratike e Kosovës, sikur gjithmonë, do të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet institucional, në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar.

Të gjitha qëndrimet e detajuara të PDK-së do t’i bëjmë publike edhe nesër, gjatë dhe pas takimit, përmes një konference për media.