Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shpreh shqetësim të thellë për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën. Ky është një sinjal shumë serioz dhe negativ për të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike, politike dhe diplomatike të vendit tonë me partnerin më të madh strategjik.
Ky zhvillim është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe veprimeve të pamatura të Qeverisë së Përkohshme, të cilat kanë rritur tensionet, paqëndrueshmërinë dhe kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës si partner serioz ndërkombëtar. Vendime të tilla jo vetëm që izolojnë Kosovën politikisht, por godasin edhe drejtpërdrejt ekonominë, duke rritur pasigurinë për investitorët dhe duke penguar zhvillimin e bizneseve vendore.
AKB konsideron se ky është një dëm i madh për vendin dhe një humbje e mundësive që Dialogu Strategjik ofronte në aspektin e investimeve, tregtisë dhe mbështetjes për zhvillimin ekonomik. Në vend që të forcohen raportet me Shtetet e Bashkuara, veprimet e pamenduara të Qeverisë së Përkohshme kanë sjellë dobësim dhe mbyllje të dyerve.
Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Përkohshme të ndalojë menjëherë retorikën dhe veprimet e dëmshme që po largojnë partnerët tanë strategjikë dhe të tregojë maturi politike e përgjegjësi shtetërore. Kosova nuk mund të lejojë luksin të humbasë mbështetjen dhe partneritetin e Shteteve të Bashkuara.
Aleanca Kosovare e Bizneseve do të vazhdojë të mbrojë interesat e bizneseve dhe qytetarëve të Kosovës dhe kërkon nga institucionet e vendit të rikthejnë urgjentisht besimin dhe bashkëpunimin me aleatët tanë strategjikë me USA.