Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, do të marrin pjesë sot në përurimin e Akseleratorit të ri dhe Bunkerit në Klinikën e Onkologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas agjendës zyrtare, ceremonia e përurimit do të mbahet nga ora 09:00, në ambientet e Klinikës së Onkologjisë, ku pritet të theksohet rëndësia e këtij investimi për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje.
Po ashtu, gjatë ditës, kryeministri në detyrë Albin Kurti do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komunës së Fushë Kosovës, për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Kjo ceremoni është paraparë të mbahet nga ora 14:00, në objektin e Komunës së Fushë Kosovës, ndërsa marrëveshja synon të përmirësojë infrastrukturën dhe qasjen e qytetarëve në shërbime shëndetësore parësore.
Autoritetet kanë bërë të ditur se këto projekte janë pjesë e angazhimeve për forcimin e sistemit shëndetësor në vend.