Osmani e Rama diskutojnë për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes

Presidentja, Vjosa Osmani, në takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe për zhvillimet rajonale. 

Sipas komunikatës së Presidencës në fokus të takimit ishin koordinimi i ngushtë politik dhe institucional, si dhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave të përbashkëta strategjike.

Gjatë takimit thuhet se është diskutuar edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump. 

“Gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, duke u theksuar rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale që promovojnë dialogun, sigurinë dhe vlerat demokratike. Në këtë kontekst, u nënvizua se Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga Presidenti Donald Trump në Bordin e Paqes, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë”, thuhet në komunikatë

Të dy liderët thuhet se kanë theksuar rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin.

“Presidentja Osmani dhe Kryeministri Rama riafirmuan vullnetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet dy shteteve, duke vënë theksin në partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në afrimin dhe mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve”, thuhet në komunikatë.

Osmani thuhet se e ka përgëzuar Ramës për progresin në rrugën drejt Bashkimi Evropian, siç theksohet, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të angazhimit të qartë evropian të Shqipërisë dhe si një zhvillim që forcon perspektivën evropiane të gjithë rajonit.

Rama thuhet se e ka uruar Osmanin popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, siç theksohet, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë dhe të palëkundur të Republikës së Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen euroatlantike.