Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), organizata e vetme e punëdhënësve nga Republika e Kosovës e përfaqësuar në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), mori pjesë në Debatin e Nivelit të Lartë për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, të organizuar në Bruksel.
AKB u përfaqësua nga Lumnije Ajdini, Drejtore e Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe Anëtare Kandidate për Zgjerim në EESC. Pjesëmarrja e saj konfirmon rolin e AKB-së si zëri përfaqësues i komunitetit të biznesit të Kosovës në institucionet evropiane dhe angazhimin e vazhdueshëm për integrimin evropian të vendit.

Në debat morën pjesë Presidenti i EESC-së, Séamus Boland, Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian, vendeve kandidate, organizatave të punëdhënësve, partnerëve socialë dhe shoqërisë civile.
Diskutimet u përqendruan në zgjerimin e Bashkimit Evropian, forcimin e sigurisë, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike të vendeve kandidate me BE-në.
AKB mbetet e përkushtuar të përfaqësojë interesat e bizneseve kosovare në institucionet evropiane, duke kontribuar në forcimin e dialogut social dhe përshpejtimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.