Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar një sërë vendimesh në mbledhjen e saj të rregullt, përfshirë rregulloren për rekrutimin e zjarrfikësve, nismën për aderimin e vendit në skemën evropiane “EU Roam Like Home”, si dhe projekte që lidhen me infrastrukturën, shëndetësinë, kulturën dhe zhvillimin lokal.
Ministrat miratuan Rregulloren për Zhvillimin e Procedurave të Rekrutimit për Zjarrfikës, e cila përcakton kriteret dhe procedurat për pranimin e zjarrfikësve në Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në përputhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Në fushën e integrimit evropian, Qeveria miratoi në parim nismën për lidhjen e marrëveshjes me Bashkimin Evropian për përfshirjen graduale të Kosovës në regjimin “EU Roam Like Home”, i cili synon eliminimin e tarifave shtesë të roamingut ndërmjet Kosovës dhe vendeve pjesëmarrëse, pasi të plotësohen kushtet e nevojshme.
Po ashtu, u miratua në parim marrëveshja e grantit ndërmjet Kosovës, “Termokosit” dhe Bankës Evropiane për Investime për zgjerimin e sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë.
Qeveria vendosi gjithashtu të mbështesë financiarisht specializantet lehona që kanë ndërprerë programin e specializimit gjatë pushimit të lehonisë, duke mbuluar periudhën nga 1 nëntori 2025 deri më 31 dhjetor 2026.
Në sektorin e transformimit digjital u miratua Korniza për Ndërtimin e Kapaciteteve Digjitale për Qeverinë e Kosovës, e cila synon zhvillimin e aftësive digjitale në administratën publike dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve.
Në fushën e pronës publike, ekzekutivi miratoi dhënien me qira për 15 vjet të një sipërfaqeje prej mbi 61 mijë metrash katrorë në Raçak të Shtimes për shfrytëzimin e gurit gëlqeror, si dhe ndau në shfrytëzim rreth 30 ari tokë në Prizren për nevojat infrastrukturore të Ministrisë së Drejtësisë.
Qeveria rialokoi gjithashtu 2 milionë euro për financimin e 15 projekteve kapitale në komuna përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Në mbledhje u themelua edhe Këshilli Kombëtar i Arteve, një mekanizëm i ri që synon të forcojë politikat publike në kulturë dhe art, me përfaqësues nga fusha të ndryshme artistike dhe kulturore.
Ndër vendimet e tjera, u ndanë 9,480 euro për programin promovues “OriginAL”, u miratua kërkesa për autorizimin e nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë dhe u riaprovua Raporti Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.