Historiani britanik James Pettifer ka thënë se Kosova duhet të rishikojë raportin me misionet ndërkombëtare pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Pettifer tha se procesi i apelit ndaj aktgjykimit do të vazhdojë, por sipas tij, Kosova duhet të shqyrtojë marrëdhëniet e saj me organizata si EULEX-i dhe OSBE-ja.
Ai tha se NATO-ja duhet të mbetet jashtë kësaj çështjeje, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të Kosovës me Aleancën.
Pettifer vlerësoi se Kosova nuk duhej ta kishte refuzuar krijimin e Dhomave të Specializuara, por, sipas tij, duhej të kishte negociuar ndryshe kushtet e themelimit të tyre. Ai tha se problemi qëndronte në faktin se Kosova, sipas tij, nuk kishte kontroll të mjaftueshëm mbi procesin.
Duke folur për ndikimin e aktgjykimit në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, Pettifer tha se vendimi mund ta vështirësojë më tej procesin e pajtimit dhe kompromiset e ardhshme me Serbinë.
Ai kritikoi gjithashtu aktgjykimin, duke shprehur dyshime për cilësinë juridike të disa pjesëve të tij dhe duke thënë se duhet të publikohen burimet mbi të cilat gjykata i ka mbështetur disa prej konstatimeve.
Pettifer tha se Kosova duhet ta shmangë dhunën gjatë protestave, ndërsa reagimi ndaj aktgjykimit, sipas tij, duhet të jetë politik dhe institucional.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënuan Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13 vjet për krime lufte. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet. /Rel/