Abazi: Nuk pres të ketë marrëveshje të shpejtë, Asociacioni kurthi më i madh që nga pavarësia

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, i ftuar në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com ka folur për dinamizimin e dialogut dhe marrëveshjen finale Kosovë-Serbi dhe presionin ndërkombëtar për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në intervistën me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, Abazi ka thënë se rikthimi i çështjes së Asociacionit është grackë në të cilën ka rënë ekipi negociues i Kosovës, por edhe BE-ja.

Sipas tij, Asociacioni dhe tensionet e krijuara herë pas here në veri po përdoren si hapësirë në të cilën manovron presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për të mos bërë reforma të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë në Serbi.

“Këto reforma janë obligim në procesin integrues evropian. Ai duke e problematizuar çështjen e Kosovës po kërkon hapësirë që të kalojë në procesin reformues me lehtësi pa i bërë presion”, deklaroi Abazi.

Sa i përket dialogut Abazi tha se ka dinamizim të këtij procesi, por se nuk pret të ketë marrëveshje të shpejtë me Serbinë pasi, siç tha, Kosova është e ngulfatur nga çështja e Asociacionit dhe se kjo është padrejtësia më e madhe që i është bërë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

“Nuk ma merr mendja që jemi duke shkuar shpejt drejt një marrëveshje finale. Por, ajo që po ndodh është një proces në vdekje klinike, që e ka konsumuar veten për më shumë se një dekadë, ka hyrë në një dinamikë tjetër. Plani evropian është një pikënisje e rinisjes dinamike të dialogut Kosovë-Serbi me një involvim të Gjermanisë, Francës dhe SHBA-së, edhe pse kjo e fundit ka qenë e involvuar edhe në të kaluarën, por brenda një formati të dialogut që nuk ka prodhuar shumë rezultate, pikërisht sepse SHBA-ja nuk ka qenë e involvuar direkt në dialog për të mos involvuar Rusinë në anën tjetër. Pas luftës në Ukrainë, gjërat kanë ndryshuar. Në përputhje gjithashtu me ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë, ka sjell deri të riformatimi dhe dinamizimi i dialogut”, tha ai.

“Besoj se ka dinamizim të dialogut, por nuk pres të ketë marrëveshje të shpejtë me Serbinë. Kjo për faktin se Kosova është ngulfatur plotësisht nga çështja e Asociacionit dhe ky është kurthi më i madh që i ka ndodhur Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Dhe duke e pasur parasysh që Serbisë po i konvenon kjo, po vazhdon ta mbajë si një ndër çështjet kryesore të cilat stagnojnë Kosovën në lëvizje dhe mbajnë status quo-n brenda formatit të vjetër të dialogut”.

Sipas tij, Serbia do të vazhdojë përpjekjet për ta mbajtur dialogun në status quo dhe “ky është dështimi i fazës së fundit të dialogut të dy viteve të qeverisjes tonë”.

“Përkundër insistimit që dialogu të rifillojë në parime të reja, është vazhduar në të njëjtit binarë dhe kjo ka prodhuar krizën e targave dhe të barrikadave. Serbia duke tensionuar situatën në veri ka kërkuar mbrojtje shtesë për serbët atje, pasi pretendon se Qeveria në Prishtinë mund të ketë pretendime për, siç thonë ata, pastrimin e veriut nga serbët. Ky formulim sikur ka pirë ujë në Evropë dhe tani nga të gjitha marrëveshjet është insistuar që të formohet Asociacioni si një premtim i lehtë i Vuçiqit që nëse arrihet kjo ai do të bëjë kredi politike të mjaftueshme për t’i vendosur sanksione Rusisë”.

“Ky premtim ndaj bashkësisë evropiane është shumë i rëndësishëm për ta shkëputur Serbinë nga linja e kontrollit rus, që përbën çështjen thelbësore të sigurisë në Ballkan. Rrjedhimisht parametrat e analizës dhe angazhimit të BE-së dhe SHBA-së janë ato të sigurisë, jo më të zgjidhjes së konfliktit për hir të Kosovës dhe Serbisë, por për shkak të përkufizimit të një krize të mundshme që Rusia mund ta përdor për ta shpenzuar energjinë e NATO-s në një krizë që mund të niset në Ballkan”, u shpreh mes tjerash Abazi.

Abazi ka folur për tema tjera aktuale si dhe ka zbërthyer proceset të cilat e presin Kosovën.