Abdixhiku: Gjashtë deputetë të LDK-së nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Sipas Abdixhikut, bëhet fjalë për Avdullah Hotin, Hykmete Bajramin, Arben Gashin, Armend Zemajn, Kujtim Shalën dhe Janina Ymerin.

Abdixhiku tha se Kryesia e LDK-së e kishte miratuar unanimisht kandidaturën e Sejdiut, por pas mbledhjes me Grupin Parlamentar, gjashtë deputetë deklaruan se nuk do ta votojnë atë.

“Gjashtë deputetë kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Abdixhiku.

Ai vlerësoi lart kandidaturën e Sejdiut, duke e përshkruar atë si një figurë me integritet dhe përvojë institucionale.

Pas dështimit për të siguruar mbështetjen brenda grupit parlamentar, Abdixhiku tha se vendi në mënyrë të pashmangshme do të shkojë drejt zgjedhjeve.