Abdixhiku, Kurtit: Vendosni nëse doni marrëveshje me LDK-në apo vota me PDK-në

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka drejtuar një mesazh publik kryeministrit Albin Kurti, lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit dhe mundësinë e një marrëveshjeje politike ndërmjet partive.

Përmes një postimi, Abdixhiku i ka kërkuar Kurtit të sqarojë nëse synon një marrëveshje politike me LDK-në apo sigurimin e votave në bashkëpunim edhe me Partia Demokratike e Kosovës.

“Ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se, në rast se synohet një marrëveshje politike me LDK-në, atëherë partia e tij është e gatshme të hyjë në diskutime dhe të marrë përgjegjësi në proces.

“Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi”, ka shtuar ai.

Abdixhiku ka përmendur edhe mundësinë e rikandidimit të Vjosa Osmani për postin e presidentes, duke vendosur një kusht të qartë për mbështetje.

“Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”, ka deklaruar ai.

Ky reagim vjen në një kohë kur partitë politike në vend po zhvillojnë konsultime për arritjen e një konsensusi rreth zgjedhjes së presidentit të ri, proces që kërkon shumicë të kualifikuar në Kuvend.