AKB: Kush e sulmon “Made in Kosova”, sulmon ekonominë dhe punësimin në Kosovë

Aleanca Kosovare e Bizneseve e konsideron të papranueshme çdo fushatë, deklaratë apo veprim që dëmton besimin e konsumatorëve ndaj prodhimeve vendore dhe markës “Made in Kosovo”.

Në një kohë kur Kosova vazhdon të shpenzojë miliarda euro për importe dhe ekonomia jonë mbetet e varur nga produktet e huaja, është paradoksale që presioni më i madh të bie mbi prodhuesin vendor – atë që investon në Kosovë, punëson qytetarët tanë, paguan tatime dhe krijon vlerë brenda vendit.

AKB pyet: Kush po e sulmon prodhuesin vendor? Kush po garanton se produktet e importuara kontrollohen me të njëjtin standard? Dhe pse konsumatori kosovar duhet të ketë më shumë siguri për një produkt që prodhohet në Kosovë se sa një produkt që vjen nga jashtë?

Nuk mund të ketë standarde të dyfishta,AKB nuk është kundër kontrolleve. Përkundrazi, kontrollet e rrepta janë të domosdoshme për çdo produkt që hyn në tregun e Kosovës.
Por kontrolli duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.

Nëse një prodhues vendor kontrollohet, testohet dhe kufizohet, atëherë edhe produktet e importuara duhet t’i nënshtrohen të njëjtit nivel kontrolli, analizash laboratorike dhe transparence, pa marrë parasysh nga cili shtet vijnë apo kush i importon.

AKB kërkon përgjigje institucionale edhe për rastet e ngritura nga prodhuesit vendorë lidhur me përdorimin e qumështit pluhur dhe vajrave bimore, ku pretendohet se produkte apo lëndë të para të importuara lejohen në treg, ndërsa prodhuesve vendorë u vendosen kufizime për përdorimin e tyre në prodhimin e nënprodukteve të qumështit.

Nëse rregullat janë të njëjta, le të publikohen. Nëse nuk janë të njëjta, institucionet duhet të japin shpjegim.
Transparenca nuk mund të jetë selektive,AKB i mirëpret kontrollet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. Por kontrollet duhet të shoqërohen me transparencë të plotë.
Publiku ka të drejtë të dijë:

  • Cilat produkte janë kontrolluar?
  • Sa mostra janë marrë?
  • Cilat kanë qenë rezultatet laboratorike?
  • Cilat produkte kanë rezultuar jashtë standardeve?
  • Çfarë masash janë ndërmarrë?
  • Sa produkte të importuara janë kontrolluar dhe me çfarë rezultatesh?
    Nuk mjafton të thuhet “kemi kontrolluar”. Duhet të publikohet çfarë është kontrolluar dhe çfarë kanë treguar analizat.
    Nëse ka fushata të financuara kundër prodhimit vendor, institucionet duhet t’i hetojnë AKB është e shqetësuar edhe nga pretendimet dhe shqetësimet e ngritura në komunitetin e biznesit se mund të ketë interesa të caktuara tregtare që përpiqen të krijojnë mosbesim ndaj produkteve “Made in Kosovo”.

AKB nuk paragjykon dhe nuk akuzon askënd pa prova, por kërkon që çdo dyshim për fushata të organizuara, sponsorizuara apo të financuara për denigrimin e prodhimit vendor të verifikohet nga institucionet kompetente.

Konkurrenca duhet të zhvillohet mbi cilësi, çmim dhe standarde, jo përmes diskreditimit të prodhuesit vendor.
Është e papranueshme që dikush të fitojë treg duke dëmtuar imazhin e produktit që prodhohet në Kosovë.
AKB: Mbrojtja e prodhimit vendor nuk është proteksionizëm – është interes ekonomik
Kosova nuk mund të vazhdojë të jetë vetëm treg për produktet e huaja.
Ne duhet të prodhojmë më shumë, të eksportojmë më shumë dhe të importojmë më pak. Për këtë arsye, institucionet duhet të krijojnë kushte të barabarta për prodhuesit vendorë dhe operatorët ekonomikë që importojnë.
AKB kërkon:

  1. Kontrolle të njëjta dhe të rrepta për produktet vendore dhe të importuara;
  2. Publikim të rezultateve të analizave laboratorike për çdo produkt vendor dhe të haj;
  3. Kontrolle të dokumentuara të produkteve dhe lëndëve të para që importohen;
  4. Hetim të çdo fushate të dyshimtë kundër “Made in Kosovo”;
  5. Luftim të konkurrencës së pandershme;
  6. Mbështetje konkrete për prodhuesit vendorë;
  7. Mbrojtje të konsumatorit pa standarde të dyfishta.
    Kosova nuk mund të bëhet shtet ekonomikisht i fuqishëm duke e dobësuar prodhimin e vet.
    Çdo fabrikë që mbyllet është një humbje për ekonominë. Çdo vend pune që humbet është një barrë më shumë për familjen dhe shtetin. Çdo prodhues që largohet nga tregu i Kosovës e rrit edhe më shumë varësinë tonë nga importi.
    Prandaj, “Made in Kosovo” nuk duhet të sulmohet, denigrohet apo përdoret si objekt fushatash – duhet të mbrohet, promovohet dhe të bëhet simbol i fuqisë ekonomike të Kosovës tha Agim Shahini kryetar i AKB-SË.