Sektori privat i Kosovës duhet të ketë qasje më të drejtpërdrejtë në fondet dhe instrumentet financiare të Bashkimit Evropian që ofrohen përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, është thënë në një takim në Parlamentin Evropian.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, u prit në Parlamentin Evropian, ku diskutimet u përqendruan te mundësitë që Plani i Rritjes ofron për ekonominë e Kosovës dhe përfshirjen e kompanive private në këto mekanizma.
Sipas AKB-së, fondet evropiane duhet të përkthehen në investime konkrete për bizneset kosovare dhe të mos mbeten vetëm në projekte institucionale.
Aleanca kërkon që kompanitë vendore të kenë mundësi të përfitojnë nga kredi të favorshme, garanci financiare dhe instrumente për investime në prodhim, teknologji, inovacion, digjitalizim, energji të pastër dhe rritje të eksporteve.
“Plani i Rritjes është një mundësi historike për Kosovën, por kjo mundësi nuk duhet të kalojë pa biznesin. Sektori privat duhet të jetë pjesë e drejtpërdrejtë e përfitimit nga fondet evropiane. Ne nuk kërkojmë privilegje, por kushte të barabarta, transparencë dhe mundësi reale për kompanitë kosovare”, u shpreh Shahini.
AKB vlerëson se fuqizimi i sektorit privat është i rëndësishëm për rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese të Kosovës.
Sipas kësaj organizate, kompanitë kosovare duhet të kenë mundësi të integrohen më shumë në zinxhirët evropianë të furnizimit dhe të përdorin instrumentet financiare të BE-së për të rritur konkurrueshmërinë dhe eksportet.
“Nëse synojmë rritje ekonomike, atëherë duhet të investojmë te biznesi. Nëse synojmë integrim evropian, atëherë biznesi kosovar duhet të jetë pjesë e tregut dhe e fondeve evropiane”, tha Shahini.
AKB u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës dhe partnerëve evropianë që të krijojnë mekanizma të qartë, transparentë dhe lehtësisht të qasshëm për sektorin privat.
Sipas saj, përfshirja e biznesit duhet të jetë një nga prioritetet e politikave ekonomike të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian.
“Pa sektor privat të fuqishëm nuk ka rritje ekonomike, ndërsa pa përfshirjen e biznesit nuk ka integrim të plotë ekonomik evropian”, është mesazhi i AKB-së nga Brukseli.