AKB përfaqëson Kosovën në forumin e BE-së për punësimin e të rinjve në Bruksel

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) po merr pjesë në një aktivitet ndërkombëtar të organizuar nga Bashkimi Evropian, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe European Training Foundation (ETF), ku diskutohen politikat për punësimin e të rinjve dhe dialogun social.

Aktiviteti “Peer Learning Activity”, që po mbahet në Bruksel, ka mbledhur përfaqësues të qeverive, organizatave të punëdhënësve, sindikatave dhe partnerëve socialë nga vendet e Bashkimit Evropian, Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Maroku.

Sipas AKB-së, organizata është e vetmja përfaqësuese e punëdhënësve nga Kosova në këtë forum, ku përfaqësohet nga kryetari i saj, Agim Shahini.

Shahini tha se pjesëmarrja e AKB-së në këtë aktivitet përbën një vlerësim për rolin e organizatës në dialogun social dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Përvojat dhe praktikat më të mira evropiane që po prezantohen në Bruksel do t’i përcjellim dhe promovojmë edhe në Kosovë, me synim krijimin e më shumë mundësive për punësimin e të rinjve dhe forcimin e partneritetit ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat”, tha ai.