Aleanca dorëzon kallëzim penal ndaj Qeverisë në detyrë

Aleanca ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Qeverisë në detyrë, lidhur me 17 vendime të miratuara më 12 gusht për emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se këto vendime janë në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë, duke theksuar se kompetencat e një qeverie në detyrë janë të kufizuara.

“Qeveria në detyrë nuk guxon në asnjë moment të shkelë ligjin që vetë e ka miratuar. Kjo qeveri i ka kompetencat dhe detyrimet e kufizuara.”

Tahiri kritikoi edhe vazhdimin e ushtrimit të funksioneve ekzekutive nga deputetët që janë betuar në Kuvend.

“Nuk mundesh me shkuar paradite në seancë me u betuar si deputet, me votuar si deputet dhe pastaj pasdite me vazhduar në qeveri dhe me ushtruar detyra ekzekutive si ministër në detyrë, respektivisht kryeministër.”

Ndër vendimet e miratuara më 12 gusht janë edhe ato për emërimin e komisioneve për përzgjedhjen e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe drejtuesve të disa agjencive dhe institucioneve të tjera.

Aleanca ka kërkuar që organet e drejtësisë të hetojnë ligjshmërinë e këtyre vendimeve.