Ambasada amerikane rithekson deklaratën e Donfried: SHBA do të kujdeset për sigurinë në Kosovë

Ambasada amerikane në Prishtinë këtë të enjte ka ripërsëritur deklaratën e ndihmës-sekretares amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, e cila gjatë vizitës në Prishtinë tha se SHBA-të do të kujdesen për sigurinë në Kosovë.

Donfried ka thënë se “ju siguroj se angazhimi i Shteteve të Bashkuara dhe ai i aleatëve tanë, mbetet i fuqishëm”.

“Dislokimi më i madh i NATO-s, KFOR, është manifestimi më i dukshëm i përkushtimit tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”, ishte shprehur ajo.

Tri ditë më parë, Donfried doli në konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, ku ndër të tjera tha se SHBA dëshiron një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi me njohje reciproke. 

Ajo theksoi se pas luftës në Ukrainë, është shumë e rëndësishme që të vazhdohet me reforma për t’u integruar në institucionet veri-atlantike.

“Lufta e pajustifikuar dhe brutale në Rusi, na ka treguar sa e rëndësishme dhe urgjente është që të punojmë për të siguruar që Kosova dhe fqinjët e saj të vazhdojnë reformat e domosdoshme për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin e tyre në institucionet euroatlantike”.