Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar treguesit kryesorë ekonomikë dhe demografikë të vendit, ku ndër të dhënat kryesore figurojnë paga mesatare bruto prej 713 eurosh, papunësia rreth 11 për qind, rritja e Bruto Produktit Vendor prej 5.43 për qind dhe inflacioni prej 6.5 për qind.
Sipas ASK-së, paga mesatare bruto në Kosovë gjatë vitit 2025 ishte 713 euro, duke shënuar rritje nga 639 euro sa ishte në vitin 2024. Paga mesatare neto ndërkohë arriti në 636 euro.
Në tregun e punës, papunësia është paraqitur në nivelin rreth 11 për qind. Ndërsa ekonomia e Kosovës gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 ka shënuar rritje të BPV-së prej 5.43 për qind, shkruan Gazeta Stop.
Në anën tjetër, inflacioni vazhdon të mbetet një nga treguesit kryesorë të ekonomisë. Të dhënat e ASK-së tregojnë se në periudhën e fundit të raportuar, inflacioni ka arritur në 6.5 për qind, ndërsa rritje të ndjeshme të çmimeve janë regjistruar në kategori të ndryshme të konsumit.
Sa i përket popullsisë, të dhënat e paraqitura nga ASK-ja tregojnë rreth 1.58 milion banorë në Kosovë.
Këta tregues japin një pasqyrë të gjendjes së ekonomisë së vendit, duke reflektuar njëkohësisht rritjen ekonomike dhe të pagave, por edhe presionin që inflacioni vazhdon të krijojë mbi fuqinë blerëse të qytetarëve.
