Begaj: Kosova ta dëgjojë më shumë SHBA-në e BE-në

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Kosova duhet të dëgjojë më shumë këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Në një intervistë të hënën për televizionin publik shqiptar, Begaj ka thënë se integriteti dhe sovraniteti i Kosovës janë të padiskutueshme.

Ai ka thënë se për çdo vendim që merr Kosova, do të ishte mirë të merrte këshillat dhe pëlqimin nga partnerët.

“Shqipëria është e vogël, por kontributi në politikën e jashtme është i madh, sidomos në rajon, ku është një faktor kontribuues për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Natyrisht Kosova është një pjesë e jona, jemi një komb, dy shtete. Është interesi më madhor i Shqipërisë është detyrim kushtetues të interesohemi për Kosovë. Integriteti dhe sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm. Fat i madh që në Kosovë kemi edhe KFOR-in që garanton sigurinë, kufirin e Kosovës, por çdo vendim që Kosova duhet të marrë, për të zbatuar detyrimet që i takojnë si shtet, do të ishte mirë të bëheshin me këshillimin dhe marrjen e pëlqimit dhe të dëgjonin më shumë këshillat e marra nga SHBA dhe BE”, u shpreh Begaj. /rtsh