Blerta Zeqiri emërohet drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovë

Blerta Zeqiri nga sot do të jetë drejtore e Qendrës Kinematografike të Kosovës. Kështu njoftoi kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook.

Për këtë pozitë, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte hapur një konkurs para dy muajve.

Drejtori i QKK-së ka mandat katër vjeçar dhe mund të rizgjedhet edhe një herë tjetër.

E Kurti tregoi sot se bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, në zyrën e tij kanë pritur drejtoren e sapozgjedhur të Qendrës Kinematografike të Kosovës, regjisoren Blerta Zeqiri.

“Blerta është ndër emrat më të suksesshëm në kinematografinë e Kosovës. Ajo njihet për cilësinë e krijimtarisë dhe kontributin për zhvillimin e sektorit të filmit. Blerta nisi një angazhim të ri, duke e bartur zërin dhe potencialin e komunitetit brenda institucionit më të lartë të filmit”, shkroi ai në Facebook.

“Me Blertën në krye të QKK-së fuqizohet tutje reforma jonë në kinematografi. Me buxhet të rritur për prodhim të filmit dhe ligjin e ri në prag të miratimit përfundimtar, kinematografia jonë do të arrijë nivele të reja të suksesit ndërkombëtar”.